13/11/2026

U realizua me sukses seminari trajnues.

Sot, më 13 nëntor 2026, në ambientet e SHAM “Medreseja Isa Beu" – Paralelja e Vajzave në Gostivar, u realizua me sukses të plotë seminari trajnues me hatibët, vaizët dhe imamët.

.

Ky aktivitet i rëndësishëm edukativ u organizua në kuadër të bashkëpunimit ndërmjet Bashkësisë Fetare Islame të Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe Ministrisë për Çështje Islame, Thirrje dhe Udhëzim të Mbretërisë së Arabisë Saudite.

E gjithë rrjedha e programit kaloi sipas agjendës së paraparë. Programi u hap solemnisht me leximin e ajeteve nga Kur'ani Famëlartë nga Mr. Eljesa ef. Asani, për të vazhduar me fjalën mirëseardhëse të Muftiut H. Sabahudin ef. Zendeli ku potencoi se ky seminar i përbashkët trajnues dëshmon vullnetin dhe bashkëpunimin e frytshëm ndërmjet Bashkësisë Fetare Islame të Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe Ministrisë për Çështje Islame të Mbretërisë së Arabisë Saudite, me synim ngritjen dhe pasurimin e vazhdueshëm profesional të kuadrit tonë fetar.

Më pas, ligjëruesi Shejh Muhammed bin Hassan bin Abdullah Al-Shehri nga Ministria e Arabisë Saudite mbajti dy seanca tejet përmbajtjesore me temën "Akideja e Tahaviut të Imam Ebu Xhafer Et-Tahaviu El-Hanefij". Ndërsa në vijim fjalën përshëndetëse e mori përfaqësuesi i Ambasadës së Mbretërisë Saudite në Tiranë z. Xhluvi bin Sad el-Mutejri.

Pas shpjegimit, fjalën e rastit e mbajti Kryetari i BFI të RMV Reisul Ulema H. Hfz. Shaqir ef. Fetai në të cilën ai theksoi rëndësinë e studimit te shkencës së akaidit dhe vlerën e madhe të angazhimit me të. Po ashtu ai foli edhe për bashkëpunimin e mirëfilltë mes BFI dhe Ministrisë së Çështjeve Fetare të Saudisë si rezultat i së cilit vjen edhe ky aktivitet i dobishëm.

Pas faljes së namazit të iqindisë dhe përfundimit të seancave trajnuese, programi u përmbyll me shpërndarjen e certifikatave për të gjithë të pranishmit dhe më pas shtrimin e darkës së përbashkët në një atmosferë të ngrohtë vëllazërore.

Sot ishte dita e tretë e edicionit të dytë të këtyre seminarëve.

Programi u moderua ne gjuhën shqipe dhe arabe nga referenti i Muftinisë Hfz. Jusuf ef. Xheladini.

Në emër të Muftinisë së Gostivarit, shprehim mirënjohjen dhe falënderimet tona të sinqerta për mysafirët e nderuar, ligjëruesin dhe të gjithë imamët, hatibët e vaizët pjesëmarrës që morrën pjesë në numër të konsiderueshëm, duke e lutur All-llahun e Madhëruar që ky seminar të sjellë dobi dhe begati në misionin tonë të përbashkët.

© 2026 Muftinia e BFI Gostivar All Rights Reserved