29/04/2025
Lajme
SOLEMNISHT U PËRURUA RENOVIMI I TËRËSISHËM I XHAMISË SË PARË NË FSHATIN ÇAJLË TË GOSTIVARIT
Sot në ditën më të mirë të javës në të cilën lind dielli, 25 prill 2025 (e xhuma), në prezencë të shumë besimtarëve u bë hapja solemne e renovimit të tërësishëm të Xhamisë së parë në fshatin Çajlë të Komunës së Gostivarit.
Prezent ishte Reisul Ulema i BFI e RMV, H. Hfz. Shaqir ef. Fetai i shoqëruar nga Muftiu i Gostivarit, H. Sabahudin ef. Zendeli, Muftiu i Shkupit Dr. Qenan ef. Ismaili, Muftiu i Tetovës, Dr. Hfz. Selver ef. Xhemaili, Kryetari i Komunës së Gostivarit, Dr. Valbon Limani, ish-Ministri i Drejtësisë, Mr. Valdet Xhaferi, drejtorët e Rijasetit të BFI, përfaqësues të Fakultetit të Shkencave Islame, përfaqësues të jetës publike dhe shoqërore në vend, afaristë, intelektualë e shumë të tjerë.
Programi u hap me një ashere nga Mr. Mafiz ef. Rustemi, drejtor për diasporë pranë BFI, e udhëheqjen e programit e bëri H. Mallzim ef. Zendeli - referent pranë Muftinisë së Gostivarit.
Në vazhdim, fjalë mirëseardhjeje shprehu imami i kësaj xhamie, Mr. Suhejb ef. Alili, ku falënderoi për prezencën e të gjithë mysafirëve duke shprehur falënderim për kontribuesit dhe xhematin e fshatit Çajlë e më gjerë për këtë vepër madhore.
Fjalë përshëndetëse si nikoqir pati Muftiu i Gostivarit H. Sabahudin ef. Zendeli, i cili vlerësoi lartë këtë vepër madhore që hyn në analet e historisë së arkitekturës së re që nga dita e sodit me mjeshtëri të veçantë.
Fjalën e rastit në këtë manifestim e pati Kryetari i BFI e RMV, Reisul Ulema H. Hfz. Shaqir ef. Fetai, i cili pasi që përshëndeti të pranishmit dhe shpjegoi vlerën e ndërtimit dhe mirëmbjajtjes së xhamisë, të pranishmëve iu percolli urimet e përzemërta dhe përshëndetjet e tija për këtë shtëpi të Zotit në tokë, e renovuar në tërësi dhe e ngelur për jetë e mot, duke vlerësuar lartë zemërgjerësinë e banorëve të Çajlës e më gjerë që nuk kursyen nga vetja e tyre, vetëm e vetëm që ky bejtullah të ketë këtë pamje mahnitëse.
Reisul Ulema së bashku me Muftiun, hoxhës së nderuar H. Shequr ef. Alili, imamit të xhamisë, Mr. Suhejb ef. Alili dhe Këshillit të Xhamisë, u ndanë mirënjohje për angazhimin e tyre permanent deri në finalizimin e këtij projekti.
Hfz. Irfan ef. Sulejmani, referent në Muftininë e BFI-Shkup, këndoi ashere, që më pas të bëhet duaja nga Muftiu i Shkupit, Dr. Qenan ef. Ismaili. Hutben e xhumasë e mbajti H. Idriz ef. Idrizi-referent në Muftininë e Tetovës, ndërkaq në namazin e xhumasë na priu imam Dr. Hfz. Selver ef. Xhemaili- Mufti i Muftinisë së BFI-Tetovës.
Tubimi përfundoi me koktejin solemn enkas për këtë rast me vlerë të veçantë.
02/04/2025
© 2025 Muftinia e BFI Gostivar All Rights Reserved